
Verdho: Kostoja e ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë 1,8 miliardë euro
Hekurudha, e cila ka marrë emrin “Kuqezi”, do të jetë e gjatë 105,8 km, do të ketë 43 ura, 14 tunele dhe 7 stacione të reja.

Lidhja hekurudhore Durrës-Prishtinë është një projekt i rëndësishëm jo vetëm se lidh dy vendet, por edhe se siguron një lidhje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sjell Bashkimin Europian më afër nesh.
Drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, deklaroi sot se hekurudha e cila lidh Durrësin me Prishtinën, studimi i fizibilitetit të së cilës u paraqit një ditë më parë, do të sjellë një rritje ekonomike, zhvillim në fshatrat e thellë dhe një rritje të numrit të turistëve.
“Lidh komplet zonën e Malit të Zi dhe Kroacisë, për të mos kaluar në linjat hekurudhore serbe, dhe edhe me portin e pestë të Mesdheut që është Porto Romano. Kemi dhe linjën e Korridorit 8 dhe atë të 9. Fillon si një projekt kombëtar pastaj duke u lidhur me Korridorin 8 shndërrohet në një projekt ndërkombëtar”, u shpreh Verdho.
Verdho foli dhe për koston e projektit dhe afatet e parashikuara për ndërtim.
“Kostoja e projektit është llogaritur përafërsisht 1.8 miliardë euro. Projekti i detajuar inxhinierik do të nxjerrë edhe vlerën e saktë. Ecuria sipas afateve të përcaktuara nga konsulenti është 1 vit për studimin, 1 vit për prokurimin, 7 vite për ndërtimi e hekurudhës dhe 1 vit do kolaudimi. Pra për një periudhe 10-vjeçare do të jetë gati. Megjithatë ne duhet të gjejmë mënyrën e duhur të financimit dhe realizimit për të përmbyllur më shpejt këtë projekt”, u shpreh kreu i HSH-së.
Verdho vuri në dukje se nga Durrësi në Gjakovë distanca do të përshkohet për 3 orë, me një tren të shpejtësisë 120 km/h.
Kreu i HSH tha se segmenti do të jetë “smart” si në sinjalistikë, telekomunikacion e gjithçka.
“Është hekurudhë elektrike dhe është shumë afër edhe fillimi i punimeve”, deklaroi ai.
Hekurudha, e cila ka marrë emrin “Kuqezi”, do të jetë e gjatë 105,8 km, do të ketë 43 ura, 14 tunele dhe 7 stacione të reja.
Burimi ATSH