
Policia e Shtetit: Luftë më efektive kundër krimit kibernetik
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda mikpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përfaqësuesit e kompanisë “Kateryna Kruk”.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda mikpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përfaqësuesit e kompanisë “Kateryna Kruk”, drejtuesen rajonale të Politikave Publike për Europën Qendrore dhe Lindore, dhe Birger Witt, menaxher i Besimit dhe Sigurisë për Evropën Qendrore dhe Lindore. Gjithashtu, në takim morën pjesë drejtori i departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe drejtoresha e Hetimit të Krimeve Kibernetike, Drejtues i Parë Ervina Gjana.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, diskutimi ishte tejet i hapur dhe konstruktiv, me objektiv parësor forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e hapësirës digjitale.
Takimi u përqendrua në adresimin e problematikave të hasura në platformat sociale të administruara nga kompania “Meta INC.”, si dhe në nevojën për krijimin e mekanizmave të përbashkët për rritjen e efikasitetit të hetimit dhe menaxhimit të rreziqeve online.
Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit falënderuan kompaninë “Meta INC.” për bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht për rastet emergjente që lidhen me mbrojtjen e të miturve, dhe shprehën gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
Ky takim konfirmon përkushtimin e përbashkët për ndërtimin e një hapësire digjitale më të sigurt për qytetarët dhe një proces hetimor më efektiv në përballje me sfidat kibernetike të kohës.
Burimi ATSH