
Xi Jinping në vizita shtetërore dhe “E ardhmja e përbashkët mes fqinjëve”
Midis 14 dhe 18 prillit, presidenti kinez Xi Jinping po viziton tre vende të Azisë Juglindore, respektivisht Vietnamin, Malajzinë dhe Kamboxhian.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)
Midis 14 dhe 18 prillit, presidenti kinez Xi Jinping po viziton tre vende të Azisë Juglindore, respektivisht Vietnamin, Malajzinë dhe Kamboxhian. Ky është udhëtimi i parë jashtë shtetit i liderit kinez në këtë vit dhe vjen në një kohë të pasigurisë së shtuar ekonomike globale, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa agresive si ndaj rivalëve gjeopolitikë ashtu edhe ndaj partnerëve ekonomikë, duke prishur tregjet ndërkombëtare dhe duke sinjalizuar kohë më të vështira përpara.
Këto vizita jo vetëm që po ravijëzojnë angazhimin diplomatik të Kinës në rajon, por gjithashtu shërbejnë si mesazhe strategjike nga Pekini për të ardhmen e kontinentit. Një ditë para udhëtimit, Xi ka theksuar se “nuk ka fitues në luftërat tregtare” duke e inkuadruar konfrontimin aktual jo vetëm si të dëmshëm por edhe si një kërcënim për stabilitetin ekonomik global.
Presidenti kinez Xi Jinping takohet me mbretin e Malajzisë Sulltan Ibrahim/Foto nga Xinhua
Narrativat perëndimore shumë shpesh e paraqesin Azinë Juglindore si një tabelë shahu për ndikimin e fuqive të mëdha, e minimizojnë rritjen e saj shpesh herë si të paqëndrueshme dhe vënë në pikëpyetje aftësinë e saj për të hartuar një kurs të pavarur. Ndërsa angazhimi i Kinës është ndryshe, më realist dhe më i qartë.
Sfondi i vizitës së Xi
Vietnami, Malajzia dhe Kamboxhia janë prekur ndjeshëm, duke u goditur nga tarifat e ShBA-së përkatësisht deri në 46%, 24% dhe 49%. Pas vizitës së tij shtetërore dyditore në Vietnam, Xi udhëtoi në Malajzi me ftesë të Mbretit Sulltan Ibrahim dhe do të mbyllë turneun e tij të premten me një vizitë në Kamboxhia, që organizohet nga mbreti Norodom Sihamoni. Të treja këto vende janë pjesë e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Gjatë viteve të fundit, Kina është bërë partneri më i madh tregtar për vendet e ASEAN-it; me tregtinë dypalëshe që ka arritur më shumë se 790 miliardë dollarë në 10 muajt e parë të 2024. Roli i saj, megjithatë, shtrihet shumë përtej atij të një partneri të thjeshtë tregtar: në të vërtetë, investimet kineze po rrjedhin shumë në projekte infrastrukturore, duke filluar nga portet dhe hekurudhat tek telekomunikacioni.
Turneu i Xi Jinping në Azinë Juglindore nënvizon pozicionimin e Pekinit si një partner i qëndrueshëm dhe afatgjatë në një rajon që është gjithnjë e më shumë në konfliktin e konkurrencës strategjike ShBA-Kinë.
Presidenti kinez Xi Jinping në Hanoi/Foto nga Xinhua
Për vende si Vietnami, Malajzia dhe Kamboxhia, ky moment kërkon kalibrim të kujdesshëm. Për vite të tëra, këto kombe janë mbështetur në një strategji delikate të dyfishtë: të korrin përfitimet ekonomike të marrëdhënieve të tyre me Kinën, ndërkohë që mbështeten tek Shtetet e Bashkuara për shumë fusha. Ky ekuilibër me dy shtylla tani është nën tendosje, tarifat i kanë vendosur në pozicion delikat. Si rezultat, këto vende mund të mendojnë se kanë më pak stimuj për të ruajtur shtrirjen me Uashingtonin dhe më shumë arsye për të thelluar lidhjet me Pekinin. Rreziku për Azinë Juglindore është të kthehet “dëm kolateral” në konkurrencën më të gjerë tregtare dhe gjeopolitike midis dy superfuqive.
Tre ndalesa shumë të rëndësishme
Vietnami, Kamboxhia dhe Malajzia janë shumë të lidhura më Kinën, por secili prej tyre ka një marrëdhënie të ndryshme me të. Vietnami ka përfituar ndjeshëm nga kjo marrëdhënie — Xi Jinping e vizitoi vetëm para 18 muajsh. Ndërkohë, Kamboxhia është vizituar 9 vite më parë, dhe Malajzia rreth 12 vite më parë. Kamboxhia shquhet si një aleat i ngushtë politik i Pekinit dhe një mbështetës i qëndrueshëm i pozicioneve kineze brenda ASEAN. Të tre vendet janë partnerë të rëndësishëm ekonomikë, të integruar thellësisht në zinxhirët e furnizimit.
Vietnami: Udhëtimi vjen pasi Kina dhe Vietnami shënojnë 75 vjetorin e marrëdhënieve të tyre diplomatike këtë vit – duke rritur pritshmëritë për besim më të thellë politik dhe bashkëpunim të zgjeruar ekonomik midis dy fqinjëve socialistë. Kina ka mbetur partneri më i madh tregtar i Vietnamit për më shumë se dy dekada, me vëllimin e tregtisë dypalëshe që tejkaloi 260 miliardë dollarë vitin e kaluar. Në një deklaratë përpara mbërritjes së tij në Hanoi, Xi theksoi diplomacinë dhe bashkëpunimin rajonal. “Ne duhet të menaxhojmë siç duhet dallimet dhe të ruajmë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.
Presidenti Xi Jinping arriti në Phnom Penh për vizitë në Kamboxhia/Foto nga Xinhua
Presidenti Xi theksoi lidhjet e thella historike midis Kinës dhe Vietnamit, duke iu referuar dy kombeve si “shokë dhe vëllezër”. Duke parë përpara, Presidenti Xi tha se shpreson që bisedimet do të ndihmojnë në hartimin e një rruge për bashkëpunimin e ardhshëm me Hanoi. Ai gjithashtu u takua me udhëheqës të lartë vietnamezë, duke përfshirë kryeministrin e vendit dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare.
Në pak orë u nënshkruan rreth 45 marrëveshjeve të bashkëpunimit. Presidenti Xi foli për mirëpritjen e më shumë produkteve vietnameze me cilësi të lartë në tregun kinez dhe ai u bëri thirrje ndërmarrjeve kineze të rrisin investimet në Vietnam. Megjithatë, tregtia nuk është e vetmja temë e diskutimit. Projektet e ndërlidhjes janë gjithashtu në fokus, veçanërisht lidhjet hekurudhore të krijuara për të nxitur fluksin e mallrave dhe njerëzve midis dy vendeve. Vietnami ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë viteve të fundit, falë investimeve të reja nga Kina. Kufiri mes Kinës dhe Vietnamit është mbushur me fabrika që prodhojnë kryesisht për tregun amerikan dhe evropian.
Malajzia:Vizita e Xi Jinping në Malajzi nuk mund të vinte në një kohë më të mirë – me vendosjen e tarifave reciproke nga SHBA-ja dhe Malajzinë e përgatitur për të kryesuar ASEAN-in fusha është gati. Presidenti kinez Xi Jinping tha se lidhjet Kinë-Malajzi po sjellin një epokë të re të artë. Kur u takua me mbretin e Malajzisë Sulltan Ibrahim Sulltan Iskandar u shpreh se Kina dhe Malajzia janë fqinjë të mirë, miq të mirë dhe partnerë të mirë që vizitojnë njëri-tjetrin aq shpesh sa familja.
Kina vendoset kështu krahë Malajzisë si një stabilizues kyç në zinxhirët e furnizimit rajonal. Në këtë këndvështrim, Kina kërkon të rrisë bashkëpunimin e saj me Malajzinë në fusha kyçe si inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit (dizajni i çipeve), energjia e rinovueshme (energjia diellore), automjetet elektrike dhe ekonomia digjitale (e-commerce). Pas 50 vitesh lidhjesh diplomatike, marrëdhëniet Kinë-Malajzi janë rritur në një partneritet të shumanshëm, me më shumë tregti, investime në infrastrukturë përmes Iniciativës “Një brez, një rrugë” (BRI) dhe lidhje më të forta kulturore që kanë rritur shkëmbimet mes njerëzve, arsimin dhe turizmin. Marrëdhënia tregtare, veçanërisht, është bërë më e ndërthurur, sidomos në drejtim të zinxhirëve të furnizimit. Kina ka ruajtur pozicionin e saj si partneri kryesor tregtar i Malajzisë për 16 vjet rresht, dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Kamboxhia: Kina dhe Kamboxhia janë “miq të hekurt”, të cilët gjithmonë mbështesin njëri-tjetrin dhe qëndrojnë së bashku në të gjitha pikat. Nën kujdesin e liderëve të të dy kombeve, rruga e miqësisë Kinë-Kamboxhia ka lulëzuar, duke dhënë fryte të bollshme bashkëpunimi dhe besimi reciprok. Aeroporti Ndërkombëtar Techo, për shembull, i planifikuar për të filluar operacionet në korrik, po ndërtohet nga një kompani kineze dhe pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetin turistik të kryeqytetit kamboxhian Phnom Penh. Ky projekt shënon një tjetër moment historik të rëndësishëm në bashkëpunimin Kinë-Kamboxhia në kuadër të BRI.
Të dy vendet kanë mbajtur shkëmbime të shpeshta të nivelit të lartë dhe komunikim strategjik. Në shtator 2023, kryeministri kamboxhian Hun Manet vizitoi Kinën në udhëtimin e tij të parë zyrtar jashtë vendit pas marrjes së detyrës. Kina ka mbetur prej vitesh burimi më i madh i investimeve të huaja dhe partneri më i madh tregtar i Kamboxhias. Marrëveshja e tregtisë së lirë Kinë-Kamboxhia, së bashku me Partneritetin Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal, i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme rritjes së tregtisë midis dy kombeve.
Çfarë mesazhi vjen direkt nga lidershipi kinez?
Presidenti kinez – dhe lidershipi kinez, më gjerësisht – duan të thellojnë marrëdhëniet e tyre me vendet fqinje. Së fundmi ata zhvilluan një takim të rëndësishëm të PKK-së, i fokusuar në marrëdhëniet fqinjësore dhe kjo vizitë përputhet me këto prioritete.
Në këtë pikë, prioriteti më i rëndësishëm për Kinën është t’u tregojë fqinjëve se është një aktor i besueshëm dhe i përgjegjshëm në sistemin ndërkombëtar. Kina synon të thellojë marrëdhëniet gjithëpërfshirëse, veçanërisht në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik. Në Pekin, para vizitës së Presidentit Xi në këto tre vende, presidenti Xi mbajti një fjalim duke theksuar këto synime.
Një ceremoni shkëmbimi i dokumenteve të bashkëpunimit mes Kinës dhe Malajzisë /Foto nga Xinhua
Xi Jinping bëri thirrje për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët me vendet fqinje dhe përpjekjen për të hapur terren të ri për punën e fqinjësisë së Kinës. Xi përmblodhi sistematikisht arritjet dhe përvojën e punës së fqinjësisë së Kinës në epokën e re, analizoi shkencërisht situatën aktuale dhe përvijoi qëllimet, detyrat, idetë dhe masat për fazën e ardhshme të punës së fqinjësisë.
Takimi theksoi se territori i gjerë dhe kufijtë e gjatë të Kinës e bëjnë fqinjësinë e saj një bazë jetike për zhvillimin dhe prosperitetin kombëtar, një front kyç për ruajtjen e sigurisë kombëtare, një fushë prioritare në diplomacinë e përgjithshme të vendit dhe një lidhje vendimtare në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Konferenca bëri thirrje për shikimin e rajoneve fqinje përmes një perspektive globale dhe forcimin e ndjenjës së përgjegjësisë dhe misionit në avancimin e punës së fqinjësisë së Kinës. Vetë vizita e Presidentit Xi këto ditë tregon vendosjen në praktikë të këtyre fjalëve më sipër, pasi fqinjësia e mirë është tepër, tepër e rëndësishme për Kinën.
Si pasqyrohet në narrativën botërore ky turne?
Pothuajse të gjitha mediat perëndimore po përdorin dy shtylla ku mbështesin narrativen e tyre: e para “ofensiva e hijeshisë” ose ndryshe një fushatë lajkash, miqësie e krijuar për të arritur mbështetjen ose marrëveshjen e të tjerëve. Dhe e dyta, “nuk është e rastësishme” kjo vizitë – duke pasur parasysh luftën e ashpër tregtare midis dy superfuqive. Në fakt, në mënyrë që të analizohet strategjia e politikës së jashtmë kineze do shumë më tepër se tituj bombastikë dhe lajme të sofistikuara, dhe fokusi i këtyre vizitave shkon shumë më thellë se sa më sipër.
Në radhë të parë, kush e njeh Azinë Juglindore dhe raportet shekullore të këtyre vendeve me Kinën e di mirë se asnjë lider që vjen nga Pekini nuk ka nevojë për tu imponuar me hijeshi. Pse? – Sepse ndër shekuj këto vende dhe Kina, qoftë në kohërat perandorake, qoftë në kohërat e Republikës Popullore nuk ka pasur nevojë për truqe të tilla. Lidhjet, marrëdhëniet, historia e përbashkët dhe shekuj bashkëpunimi kanë krijuar një themel të rëndë raportesh që nuk mund të pasqyrohen nga dhjetëra libra, jo më me pak artikuj ditor. Fakti që këtyre marrëdhënieve po ju vendoset një etiketë e momentit tregon shumë për mungesën e njohurive për rajonin. Është shumë më e thellë se një vit, ose një dekadë.
A është e rastësishme kjo vizitë? – Patjetër që jo. Asgjë në Kinë nuk i lihet rastësisë, por vendimmarrja nuk është e varur nga tarifat e Trump-it. Graviteti i vendimeve të Pekinit për vizitat e liderit nuk diktohet nga Uashingtoni, por nga plane të mirëmenduara prej kohësh. Jo gjithçka është reaksion. Bota është shumë më e madhe se aq.
Populli mirëpret vizitën e presidentit kinez Xi Jinping në Kamboxhia/Foto nga Xinhua
Së fundmi, vizitat e Presidentit Xi Jinping në Azinë Juglindore nuk janë thjesht demonstrime miqësie diplomatike, por deklarata strategjike me peshë rajonale dhe globale. Në një kontekst të proteksionizmit të rritur amerikan dhe tensioneve gjeopolitike, Kina po ofron një alternativë të qartë: një vizion të ndërtuar mbi stabilitet, bashkëpunim të ndërsjellë dhe zhvillim të përbashkët. Përmes thellimit të marrëdhënieve me Vietnamin, Malajzinë dhe Kamboxhian, Pekini jo vetëm që konsolidon praninë e vet në një rajon të rëndësishëm gjeostrategjik, por edhe sfidon narrativën perëndimore për varësi dhe ndikim të njëanshëm.
Strategjia kineze e zhvillimit përmes partneritetit ekonomik, teknologjik dhe ndërlidhjes infrastrukturore përfaqëson një paradigmë që nuk kërkon përçarje, por integrim. Nga kufijtë e pasuruar me Vietnamin, tek partneriteti digjital me Malajzinë dhe miqësia e hekurt me Kamboxhian, Kina po pozicionohet si faktor stabiliteti në një kohë pasigurie. Në këtë dritë, vizita e Xi nuk është vetëm një udhëtim diplomatik, por një thirrje për një rend të ri rajonal ku fqinjësia nuk është një arenë për rivalitet, por një urë drejt një të ardhmeje të përbashkët dhe të qëndrueshme. Azia Juglindore, nëse zgjedh me kujdes, mund të bëhet model i një bashkëjetese strategjike paqësore në epokën e konkurrencës globale.
Burimi CGTN