
Rama: 11 maji takim me historinë, zgjedhje për të futur Shqipërinë në BE në 2030-n
Rama shtoi se me hyrjen në Bashkimin Evropian vendi do të përfitojë një buxhet ekstra.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me qytetarë të Burrelit, ku prezantoi Paketën Sociale që qeveria ofron për çdo qytetar.
Në fjalën e tij Rama u ndal edhe te rruga e vendit drejt integrimit evropian, ndërsa nënvizoi se pasaporta e BE-së është një status i ri për çdo qytetar shqiptar i barabartë me çdo qytetar të BE-së.
“Ka shumë njerëz që e ngatërrojnë pasaportën e BE-së me udhëtimet. Pasaporta që kemi sot është dokument udhëtimi, nuk ka asnjë vlerë tjetër. Na jep mundësinë të udhëtojmë nëpër Evropë pa vizë. Me atë pasaportë lëviz po nuk ndalon dot, nuk rri dot më gjatë sesa ta lejon një dokument udhëtimi.
“Pasaporta evropiane është status tjetër, status i ri për çdo qytetar shqiptar, i barabartë qytetarie me çdo qytetar të BE-së. Siç është pasaporta individualisht një status i ri qytetarie, kolektivisht për Shqipërinë hyrja në BE është një status i ri kombëtar, shtetëror, shtet i BE-së”, tha Rama.
Rama shtoi se me hyrjen në Bashkimin Evropian vendi do të përfitojë një buxhet ekstra.
“Ku lidhet kjo me pensionet? Tek fakti që me hyrjen ne BE na krijohet një mundësi e re shumë e madhe, sepse përveç të gjitha të tjerave ne menjëherë përfitojmë një buxhet ekstra. BE është një familje shtetesh, ka të mëdhenj, të fortë, të rritur, ka më të vegjël, më të dobët, në zhvillim e sipër. Është i ndarë në dy kategori: ata që kontribuojnë, që janë prindërit, themeluesit, më të fortët dhe ata që janë përfituesit. Përfituesit janë të rinjtë që fusin. Ne sot kemi pasur mbështetje të vazhdueshme nga BE, kemi marrë si mbështetje 1 miliard e diçka më shumë euro; në momentin që bëhemi anëtarë të BE-së ne marrim 1 miliard e më shumë euro çdo vit. Këto 1 miliard euro që kemi marrë në gjithë këto vite janë kredi. 90% janë kredi të buta, por janë borxhe, që vijnë nga BERZH, ku shikoni bankat që na mbështesin ne, janë borxhe. Ky 90% që na vjen, si anëtar do të jetë 90% grant, para e falur. Është si qeveria në Tiranë mbështet bashkinë e Matit. Nuk i falin lekët dikujt, i investojnë te vetja e vet. Në momentin që hymë në BE jemi vetja vetë dhe jo një vend i huaj. Ky është ndryshimi”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si historike për sa i përket procesit të rrugëtimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Unë besoj që në 11 maj ne kemi një takim me historinë në kuptimin më të plotë të fjalës. Zakonisht zgjedhjet janë të rëndësishme, por ka raste që zgjedhjet nuk janë vetëm kaq, ka raste që zgjedhjet përcaktojnë jo kush do të qeverisë për 4 vite, por ku do të jetë në 30 vitet e ardhshme, më 11 maj mund të luhen 30 vite. Sot BE e ka hapur derën për Shqipërinë, nuk ishte hapur dera se nuk kishin vullnet të plotë për të përshpejtuar atë që ata e quajnë “zgjerimi”, për mua është ribashkimi”, tha Rama.
Rama shtoi se nëse në 11 maj nuk do të bëhet zgjedhja e duhur do të duhen edhe 5 mandate të tjera për t’u kthyer këtu ku jemi.
“Ata që thonë se: Ç’është kjo histori, me Edi Ramën është ky muhabet, tre herë, tre mandate e nuk mjaftuan për t’u futur në BE, u dashka një mandat i katërt?! Problem është se nëse më 11 maj nuk do të bëhet gjëja e duhur, mund të duhen edhe 5 mandate të tjera për t’u kthyer këtu ku jemi, sepse kështu funksionon BE-ja. Po të ishte kjo BE-ja me logjikën e këtyre do të kishin hyrë në BE të tjerët. Mali i Zi i ka hapur negociatat para nesh, në 2012 dhe akoma janë tek dera; Serbia i ka hap në 2014 është mbrapa nesh tani; Maqedonia e Veriut është bërë kandidate në 2005-n akoma s’i ka hapur negociatat. Kështu që, larg qoftë, dera e hapur mund të mbyllet prap, se kështu ka funksionuar. Vijnë momente si ai që erdhi në 2017-n, 2018-n, kur thanë copë: këto 5 vite nuk ka asnjë zgjerim, 5 vite rrini ju. Ti bëj çfarë të duash, ai thotë: S’ka, s’e hap unë derën”, tha Rama.
Rama shtoi se tani vendi e ka mundësinë reale të mbyllë negociatat brenda 2027-s dhe të bëhet anëtar në 2030-n.
“Tani dera është hapur dhe na duhet të hyjmë brenda sepse e kemi një mundësi reale të hyjmë brenda, pasi kemi në tavolinë planin që ata na kanë vënë para dhe kemi rënë dakord të dyja palët që në 2027-n të mbyllim negociatat. Të mbyllim negociatat në 2027-n do të thotë ta mbyllim punën, pastaj vjen procesi i ratifikimit në parlamentet e vendeve të tjera dhe në hyjmë në sallonin kryesor të BE-së. Kështu që këto zgjedhje janë shumë pak: me kë je, me kë s’je. Këto zgjedhje janë: je për ta futur Shqipërinë në BE në 2030 apo nuk je?”.
“Dikush mund të thotë: ‘Jo, jam unë, por jo me Edi Ramën dhe jo me PS-në’. Më vjen keq, por nuk ndodh. Imagjino të çosh “bufin e kënetës” për të bërë negociata, është e paimagjinueshme sa t’ju kujtohet se kush është, mbaroi filmi i Shqipërisë. Mos harroni se nga 2011-a në 2013-n nuk ka shkel njeri në Tiranë. Ne në 16 maj do të presim gjithë Evropën këtu. Dhe sikur mos të ishte “bufi”, 2027-a do të thotë të punosh çdo ditë, janë 1000 veta që punojnë.
Në momentin që bën një zgjedhje të paqartë, vetëm fakti që do 6 muaj sa të rifillojë puna ka mbaruar dhe nuk arrihet afati. Në momentin që mbaron afati, fillon një avaz tjetër. Sot ata e kanë hapur derën dhe për arsye të tyre ne u duhemi atyre. Vendosni votën tek 5 dhe merrni pasaportën!”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH