Rama: Qytetarëve të Tiranës u duhet një qeverisje e dyfishtë në sintoni të plotë
Kryeministri, njëherazi Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se qytetarëve të Tiranës u duhet një qeverisje e vendit dhe e kryeqytetit për të shtyrë përpara punët, pasi Tirana është motori më i fuqishëm i ekonomisë shqiptare.

Nga takimi me komunitetin e Njësisë 6, Lagjja 14 dhe Kashar, Rama deklaroi se “si qytetarë të Tiranës, zgjedhja është shumë praktike”.
“Tirana është motori më i fuqishëm i ekonomisë sonë, është vendi i mundësive më të mëdha. Në Tiranë, jo vetëm ata që janë, por edhe ata që vijnë shikojnë për të arritur maksimumin, askush nuk ndalet, por gjithkush do të arrijë më shumë. Çfarë i duhet njerëzve në Tiranë? U duhet një qeverisje e dyfishtë, e vendit dhe e kryeqytetit, siç ka qenë në këto vite që të jetë në sintoni të plotë dhe të shtyjmë përpara për t’u krijuar atyre shtigje që të shohin punën e tyre dhe bëjnë punën e tyre”, nënvizoi Rama, teksa theksoi se qytetarëve në Tiranë nuk u duhet një histori fanelash, flamujsh partie apo ndarjesh.
Kreu i ekzekutivit nënvizoi faktin se “kjo është një kohë e re dhe Shqipëria ka hyrë në një fazë të re ku ekonomia e Shqipërisë vetëm do të rritet dhe cilido duhet të bëjë rritjen e vet”.