
Çelja e negociatave, Rama: Shqipëria konsiderohet surprizë, vlerësohet përgatitja e administratës shqiptare
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje faktin që Shqipëria konsiderohet një surprizë në procesin screening me Bashkimin Europian dhe kjo falë punës së ekipit negociator të përfshirë në këtë proces.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje faktin që Shqipëria konsiderohet një surprizë në procesin screening me Bashkimin Europian dhe kjo falë punës së ekipit negociator të përfshirë në këtë proces.
Në podkastin “Flasim” të ftuar të kryeministrit Edi Rama ishin katër të rinj të kthyer nga jashtë vendit dhe që tani mbajnë poste të larta drejtuese në qeveri.
“Katër UFO në vendin e shqiponjave” emërtohet podkasti i sotëm, ku të ftuar janë Florian Semani, zv.ministër i Financave, i kthyer nga SHBA ku punonte si ekspert taksash; Blerina Abrazhda, zv.ministre e Mbrojtjes, e kthyer pas 25 vitesh studime e pune në Itali, SHBA, Lindjen e Mesme; Andi Memeti, zv.ministër i Financave, i kthyer nga Londra pas 20 e ca vitesh studime e pune në industrinë bankare dhe Erinda Aliaj, e kthyer nga SHBA, dhe që tani punon në administratë, në Kryeministri, si eksperte e teknologjisë.
Ndërsa dëgjoi eksperiencat e tyre jashtë vendit dhe motivin që i ktheu në Shqipëri, Kryeministri Rama u ndal në një aspekt të rëndësishëm, që ka të bëjë me përgatitjen e administratës shqiptare.
Rama tha se përpos refrenit të përsëritur në pafundësi se në administratë janë të gjithë hajdutë, realiteti është krejt tjetër dhe kjo u faktua edhe gjatë procesit screening me BE-në.
“Pa diskutim që administrata ka hijet e veta, se është komplet e pandershme që ne ta fshehim këtë, por unë vetë personalisht kam pasur më shumë stres nga hijet e administratës. Kjo është përmbysur komplet, është bërë procesi screening ku bëhet gjithë diagnoza e shtetit shqiptar. Janë 1 mijë vetë këtej dhe andej që ulen përballë njëri-tjetrit me 36 grupe dhe që i hyjnë deri në qelizë shtetit shqiptar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se aty ka shumë rëndësi si performon dhe si e luan ti pjesën tënde.
Në këtë aspekt, kryeministri solli në vëmendje edhe vlerësimet që ka marrë nga krerët e shteteve të BE-së për ekipin shqiptar.
“Kur filloi procesi kam qenë shumë në tension, thosha: gjithë kjo luftë e përpjekje për të bindur dynjanë se ne nuk jemi ata që ata mendojnë, se nuk jemi gati. Papritur filloi një tjetër këngë, ekipi im më thoshte: po ecim mirë. Kryeministri i Holandës më tha se ‘po dëgjoj fjalë shumë të mira për ekipin shqiptar, mbresat në Bruksel janë shumë të forta’. Kryeministri i Danimarkës: ‘Çfarë ndodh me administratën tuaj? Kam parë këto të Ministrisë së Jashtme për pjesën e proceseve që duan të hyjnë dhe jeni on top’. Pastaj Kryeministri i Spanjës”, tha Rama.
Kur procesi hyri më thellë, kryeministri u shpreh se Shqipëria u cilësua “një surprizë” dhe administrata “shumë e përgatitur”.
“Cilësoheshin njerëz shumë seriozë, një vend perëndimor. Kjo gjë më ka dhënë shumë krenari”, shtoi Rama.
Burimi ATSH