
Marrëveshje me hotelet, Rama: Në pikun turistik deklarojnë 65% kapacitete të zëna, 30% jashtë sezonit
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot në bashkëbisedim me biznesin në Elbasan për “Paqen Fiskale”

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot në bashkëbisedim me biznesin në Elbasan për “Paqen Fiskale” që konsiston në një seri reformash dhe lehtësish fiskale që do të ndërmarrë qeveria shqiptare me qëllim mbështetjen e biznesit të vogël dhe nxitjen e formalizimit të ekonomisë.
Gjatë fjalës së tij Rama u ndal edhe tek caktimi i referencave nga qeveria të strukturave akomoduese, pasi nuk deklarojnë numrin real të pushuesve dhe shfrytëzimin real të dhomave.
Rama tha se që në tre ditët e para ka pasur 600 kërkesa nga hotelet për të bërë marrëveshje me qeverinë, që thotë se në pikun e sezonit turistik hotelet do të deklarojnë 65% okupueshmëri, ndërsa jashtë sezonit vetëm 30%. Sipas Ramës, kjo është një balancë e favorshme për hotelet.
“Kemi një program specifik në çdo sektor dhe ajo që bëjmë ne tani në këtë fazë që përkon me fushatën elektorale është të ndajmë me njerëzit këtë program që nuk është elektoral. Kjo është pjesë e këtyre planeve, do të hapim një diskutim me ju dhe pastaj do të duhet që sintetizojmë këtë plan duke pasur edhe bekimin e Ministrisë së Financave, në mënyrë që të hyjmë në një fazë të re me këtë paqe fiskale dhe të bëjmë në një nivel më gjithëpërfshirëse atë që Ministria e Financave dhe Ministria e Turizmit kanë nisur të bëjnë me sukses. Jemi të inkurajuar me hotelet për shkak se ne jemi shumë të vetëdijshëm që ka informalitet jo të vogël pasi nga një anë kemi një rritje eksponenciale të numrit të turistëve dhe nuk kemi një rritje që e pasqyron këtë volum të madh kur vjen puna tek deklarimet që bëjnë hotelet”, tha Rama.
Nga ana tjetër, vijoi Rama, ikin inspektorët nga plazhet.
Sipas tij, është bërë një propozim për një marrëveshje paraprake dhe në 3 ditët e para ka pasur 600 kërkesa për marrëveshje që e cilësoi shifër inkurajuese nga hotelet.
“Marrëveshja që thotë në pikun e sezonit do të deklarosh 65% okupueshmëri, zaptim, dhe në periudhën jashtë pikut vetëm 30% është një balancë me e favorshëm për hir të së vërtetës për hotelet sesa për administratën tatimore”, u shpreh Rama.
“Kemi parë eksperienca vendesh të tjera dhe ne duam që qasja gjithmonë të jetë miqësore, jo thjesht korrekte, por mirëkuptuese ndaj biznesit. Jo në pak raste inspektorët na turpërojmë. Kemi atë stilin tuaj që nuk preferoni t’i denonconi, por t’i mëkoni nga pak. Ajo marrëveshje po na funksionon. Kjo është më voluminoze më masive do ta artikulojmë mirë duke dëgjuar dhe reagimet tuaja duke kornizuar saktë me Ministrinë e Financave dhe do ta fusim në proces”, tha Rama.
Burimi ATSH