
Rama: Në 11 maj na duhet një shumicë më e fortë për të mbyllur negociatat
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste kërkoi sot nga Shkodra që vota në zgjedhjet e 11 majit të shkojë për të garantuar një shumicë më të fortë për PS-në, për të garantuar mbylljen e negociatave në vitin 2027.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste kërkoi sot nga Shkodra që vota në zgjedhjet e 11 majit të shkojë për të garantuar një shumicë më të fortë për PS-në, për të garantuar mbylljen e negociatave në vitin 2027.
Në një takim me votuesit për herë të parë të Qarkut Shkodër, Rama u shpreh se Shqipëria gjendet aty ku duhet në momentin e duhur por duhet të hyjë brenda në BE, tani.
“Pasaporta europiane nuk është shaka. Nuk është një pasaportë që njeriu duhet të mendojë se kemi për ta marrë gjithsesi. Jo nuk është kështu. Duhet ta marrim tani. Nuk e shtyjmë dot atë që ka sjellë fati. Puna jonë është njëra anë, por ata e hapin derën për Shqipërinë pasi rrethanat e Europës dhe botës në përgjithësi janë që ata tani duan të zgjerojnë BE-në”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria e ka bërë detyrën e saj dhe tani gjendet aty ku duhet, në momentin e duhur dhe duhet të mbyllë negociatat deri në vitin 2027.
“Na duhet një fuqi më e madhe në parlament sepse negociatat janë bisedime përditë. Mbi çerek milion faqe duke nisur nga drejtësia dhe ekonomia dhe deri te mjedisi duhet të vijnë këtu dhe t’i bëjmë rregulla, ligje e vendime”, tha Rama.
Për këtë, kryeministri tha se “nuk duhet t’i lutemi ‘kënetës’ hajdeni se duhet të mbyllim negociatat”.
“Ndaj na duhet një fuqi më e madhe nga ajo që kemi sot, jo për mua, as për PS-në në vetvete se ne jemi shumicë dhe do të ngelemi shumicë. Problemi është të jemi shumicë më e fortë”, tha Rama.
Ndaj, kryeministri kërkoi që në 11 maj shkodranët të votojnë për numrin 5, në mes të fletës së votimit, as majtas, as djathtas.
“Siç e bëtë në Shkodër dy vite më parë thatë: në djall shkoftë kjo punë, t’i bashkojmë votat dhe t’ia japim një kandidati që mbase do të na bëjë një gjë, se u lodhëm. Dhe rezultoi një zgjedhje shumë e mençur. E latë mënjanë jo e majta, jo e djathta, jo PS, jo PD dhe i ratë në kokë. Tani është koha tamam për t’i rënë në kokë: 5 në mes të fletës së votimit, nuk ka as majtas, as djathtas”, tha Rama.
Burimi ATSH