
Basha me profesionistët e lirë: Mbështetja SPAK-ut, garancia që shteti të jetë në duart e qytetarëve
Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësues të profesioneve të lira në Tiranë

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësues të profesioneve të lira në Tiranë, ku theksoi se korrupsioni është problemi më i madh që pengon zhvillimin ekonomik dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Në fjalën e tij, Basha deklaroi se mungesa e transparencës dhe shkatërrimi i institucioneve që duhet të mbikëqyrin qeverinë, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, kanë çuar në abuzime që kapin shifrën e 7 miliardë eurove. Këto fonde, sipas tij, do të mjaftonin për politika ambicioze sociale dhe ekonomike.
“Mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies, mungesa e institucioneve që mund ta bëjnë këtë. Shkatërrimi i institucioneve që mund ta bëjnë këtë, duke filluar me KLSH-n. E cila vit për vit nxjerr raportin e abuzimeve nga administrata shtetërore që kanë arritur në shifra prej 7 miliardë euro”, tha Basha.
Basha theksoi mbështetjen e plotë për SPAK-un, duke e konsideruar si një nga institucionet e pakta që funksionon me standarde perëndimore dhe nuk ndikohet nga politika. Basha tha se angazhimi i forcës politike që drejton është për rritje të fondeve, burimeve njerëzore dhe infrastrukturës ligjore për SPAK, që sipas tij mbështetjen e ka treguar dhe me vepra me propozimet që ndodhen në Parlament për vettingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit parlamentar, si hapa të domosdoshëm për të larguar korrupsionin nga politika.
“SPAK-u ka treguar se për një kohë të shkurtër arrin të veprojë si një institucion pothuajse perëndimor. Angazhimi ynë kryesor në raport me shoqërinë por që prek drejtpërdrejtë interesat tuaja si shtresë e mesme është që SPAK-ut t’i japim edhe më shumë fuqi. Si? Më shumë financa, më shumë burime njerëzore, infrastrukturë më të mirë ligjore në mënyrë që problemi numër 1 i Shqipërisë, korrupsioni që është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik për integrimin europian, të marrë goditje sa më vdekjeprurëse. Ne qëndrojmë në krah të SPAK dhe kundër korrupsionit dhe jo me fjalë. Ne jemi të vetmit që kemi një vit e gjysmë që kemi çuar në Parlament amendamentet për t’i dhënë SPAK-ut më shumë fonde, më shumë burime njerëzore, infrastrukturë ligjore, siç e kërkoi para Parlamentit por po e bëjnë veshin e shurdhët. Sepse nuk duan t’ia japin”, tha Basha.
Burimi ATSH