
Berisha: Programi i PD-ASHM dy synime, rikthimin e parave te qytetari dhe mundësi të re për çdo shqiptar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sot në Bilisht, ku prezantoi para mbështetësve të tij programin e koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sot në Bilisht, ku prezantoi para mbështetësve të tij programin e koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit.
“Shqiptarët çdo ditë e më shumë përqafojnë programin e PD-së. Një program, miqtë e mi, që ka dy synime më kryesore: t’ju rikthejmë paratë tuaja, që aktualisht i vjedh qeveria; dhe të krijojë një mundësi të re për secilin prej jush, për çdo fermer, për çdo biznesmen, për çdo qytetar, banor të Devollit dhe të gjithë Shqipërisë, që pas datës 11 maj të 2025, të mund të çelë një kapitull të ri në jetën e tij”, deklaroi Berisha.
Berisha vuri në dukje se fushata e PD-së vjen me projekte konkrete.
“Sot ju shihni dy fushata. Një fushatë, e cila vjen tek ju me projekte konkrete, vjen tek ju me projektet me të cilat kërkon të adresojë çdo vështirësi. Ju keni jetën tuaj të përditshme. Kërkoni që fermat tuaja të jenë ferma suksesi. Kërkoni që, bizneset tuaja të jenë biznese suksesi. Kërkoni që, të rinjtë tanë të mos largohen nga Devolli, Korça dhe Shqipëria, por të qëndrojnë këtu dhe të ndërtojnë ëndrrën e tyre në Shqipëri. Kërkoni pra, që të gjitha potencialet e mëdha të Devollit dhe të Shqipërisë t’i shndërroni në rroga, mirëqenie, punësim për banorët e Devollit dhe të Shqipërisë. Ne, këtë projekt e quajmë, projekti i Devollit Madhështor”, u shpreh ai.
Berisha shpjegoi edhe se si do të zbatohet konkretisht programi i PD-ASHM për fermerin.
“Do të pesëfishojmë në mënyrë absolute, vendimi i 100 ditëve të para do të jetë 5-fishimi i çdo subvencioni për ju. Pse kjo? Sepse, fermerët e Maqedonisë së Veriut, që i keni këtu fqinjë, subvencionohen 5 herë më shumë se ju. Sepse, fermerët në Kosovë subvencionohen 4 herë më shumë se sa ju. Sepse fermerët në Serbi subvencionohen 6 herë më shumë se sa ju. Atëherë, që ju t’i dilni zot garës, që ju të konkurroni në treg, duhet të keni gjithë këtë mbështetje. Dhe unë, ju jap fjalën që ne do t’ju mbështesim”, premtoi Berisha.
Ai akuzoi qeverinë se edhe pse kishte një buxhet prej 8 miliardë eurosh të mbledhura nga taksat e qytetarëve, shpërndau për bujqësinë vetëm 57 milionë euro.
“Nga 8 miliardë euro, ndau për ju, për fermerët shqiptarë që punësojnë 500 mijë shqiptarë, që japin 20% të PBB-së 57 milionë euro, dhe nga këto 32 milionë euro, sepse të tjerat i marrin rroga dhe i bëjnë rrush e kumbulla administrate”, tha Berisha, duke e cilësuar shumën qesharake.
Ai premtoi se mbështetja do të shkojë vetëm për subvencione nga 32, në 230 milionë euro.
“Do të subvencionojmë për çdo njësi prodhimi. Për çdo fidan të mbjellur, për çdo kokë bagëti. Hiqet çdo kriter teokratik, se duhet të kesh 10 lopë, se duhet të kesh 100 dele, se duhet kesh kaq dhe aq hektarë. Jo! Për çdo krerë bagëti do marrësh subvencione. Për çdo fidan që të mbjellë, do marrësh subvencione. Për çdo prodhim do marrësh subvencione”, deklaroi ai.
Burimi ATSH