
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Mbretërisë së Spanjës, Gabriel Cremades Ventura.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Spanjës, Gabriel Cremades Ventura.
Në këtë takim, Presidenti Begaj vlerësoi dialogun e vazhdueshëm politik në nivelet më të larta si një reflektim i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve.
Megjithatë, Presidenti i Republikës theksoi se ka ende hapësira ku marrëdhëniet mund të forcohen, siç janë ato në fushën ekonomike. “Në këtë këndvështrim, turizmi do të ishte një mundësi shumë e mirë nga ku do të përfitonin të dyja vendet tona”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit i përcolli Ambasadorit Gabriel Cremades Ventura falënderimet ndaj Spanjës për politikat e saj të zgjerimit dhe mbështetjen ndaj integrimit: “Spanja është zë aktiv në Këshillin e BE-së për sa i përket sundimit të ligjit dhe tregon gatishmëri për të ngritur çështje që lidhen me procesin e reformave në rajon dhe në Shqipëri”.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti i Republikës vlerësoi vendimet e fundit të ndërmarra për procedurat e njohjes së dokumenteve të udhëtimit për qytetarët e Kosovës.