
Rama: Becchetti zgjodhi kundërshtarin e gabuar, nuk ka marrë asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar
Kryeministri Edi Rama komentoi sot gjyqin e Shqipërisë me sipërmarrësin italian, Francesco Becchetti.

Kryeministri Edi Rama komentoi sot gjyqin e Shqipërisë me sipërmarrësin italian, Francesco Becchetti, ndërsa siguroi se ky i fundit zgjodhi kundërshtarin e gabuar dhe nuk ka marrë deri tani asnjë lek nga shteti shqiptar.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’Sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili e pyeti për lekët që ka humbur shteti shqiptar në arbitrazh për këtë çështje.
“Becchetti nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe është në siklete të mëdha sot që flasim, në procese gjyqësore penale dhe shumë në siklete të mëdha. Domethënë e ka zgjedhur kundërshtarin më të gabuar. Ai që është mësuar të bëjë hajgare me vëllezërit tanë në Kosovë, me paratë e bankave, kompanive, të shteteve, vajti dhe zgjodhi kundërshtarin më të gabuar dhe nuk ka marrë asnjë kokërr leku deri tani, zero. Dhe prit, se nuk ke parë asnjë gjë akoma, as ti, as ai”, iu përgjigj Rama komentuesit.
Një tjetër komentues e pyeti kryeministrin për lekët që, sipas tij, i janë dhënë Behgjet Pacollit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Rama sqaroi se aeroporti i Vlorës po ndërtohet me lekët e Behgjet Pacollit dhe jo të shtetit.
“Cilat lekë nga Pacolli? Pacolli e ka ndërtuar aeroportin, jo shteti. Aeroportin e Vlorës e ndërton Behgjet Pacolli me lekët e veta. Si rruga Thumanë-Kashar, që është me paratë e sipërmarrjes dhe sipërmarrja e ka ndërtuar për të marrë pastaj paratë e qarkullimit, ndërkohë njerëzit kanë sot një rrugë për të qenë. Nuk ka as lekë për Pacollin, as lekë për Becchett-in, zero”, tha Rama.
Ndërkohë Rama tha se personalisht nuk ka asnjë lek të padeklaruar, ndërsa iu përgjigj një komentuesi i cili e pyet mbi paratë që janë paguar për shpalljen “non grata” të Berishës.
“Nuk funksionon Amerika kështu siç mendon ti dhe të ka thënë ‘këneta’. Jo që unë nuk kam paguar asnjë kokërr leku, se do të dihej po të kisha paguar, do deklaroheshin. Unë nuk kam lekë të padeklaruara, pavarësisht se çfarë të thotë ‘këneta’. Çfarë kam, i kam të deklaruara. Këto gjëra nuk funksionojnë kështu. Kurse ‘këneta’ nxori nga barku 6 milionë”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH